Tronditje në Francë: Kosovari 50-vjeçar goditet për vdekje me shkop bejsbolli në mes të ditës!
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin francez të Annecy, në rajonin Haute-Savoie, të dielën e kaluar. Një shtetas kosovar, rreth 50 vjeç, ka humbur jetën pasi u sulmua brutalisht me një shkop bejsbolli nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas mediave franceze, sulmi ndodhi rreth orës 13:30, në mes të ditës, kur viktima u qëllua në fytyrë nga një ose disa persona të maskuar, të cilët më pas u larguan në këmbë. Burime policore bëjnë me dije se 50-vjeçari ishte i njohur për autoritetet.

I plagosur rëndë, ai u transportua menjëherë në spital, por, fatkeqësisht, ndërroi jetë të hënën në mëngjes për shkak të dëmtimeve të marra.

Hetim për vrasje me paramendim
Prokuroria franceze ka nisur një hetim për vrasje me paramendim dhe përdorim të armës si mjet vrasës. Çështja po hetohet nga Divizioni i Kriminalitetit të Organizuar dhe të Specializuar (DCOS).

Autoritetet po vijojnë kërkimet për autorët e dyshuar, të cilët ishin të maskuar në momentin e sulmit.

Burimi: 20 Minutes (Francë)