Një person është arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin se është paraqitur rrejshëm si toger i Policisë së Kosovës dhe i ka marrë 450 euro një gruaje, me arsyetimin se paratë nevojiteshin për blerjen e peletit.
Sipas raportit të Policisë, rasti është raportuar më 16 tetor dhe ka ndodhur në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë.
Viktima ka deklaruar se i dyshuari e kishte kontaktuar përmes telefonit dhe, duke u prezantuar si zyrtar policor me gradën e togerit, i kishte kërkuar që shumën prej 450 eurosh t’ia jepte një personi tjetër.
Gruaja ia kishte dorëzuar paratë, ndërsa i dyshuari ishte larguar me veturë në drejtim të panjohur.
Sipas Policisë, vetura ishte marrë me qira disa ditë më parë në Gjilan nga një qytetar kosovar, të cilit nuk i ishte kthyer.
Pas hetimeve, njësitet policore kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, së bashku me veturën që dyshohet se po e keqpërdorte.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rr. Dardania, Fushë Kosovë 15.10.2026-15:55. Me 16.10.2026 viktima femër kosovare, ka raportuar se, i dyshuari mashkull kosovar, përmes telefonit duke u prezantuar si zyrtar-toger i policisë ka kërkuar nga viktima që t’i jap një personi tjetër një shumë parash prej 450€ sipas tij për blerje të peletit. Viktima duke rënë në lajthitje i ka dhënë këtë shumë parsh të dyshuarit, i cili pastaj ishte larguar në drejtim të panjohur me veturën të cilën e kishte marrë me qira ditë më parë në Gjilan nga ankuesi mashkull kosovar dhe nuk ia kishte kthyer veturën ankuesit. Njësitet policore e kanë identifikuar, ndaluar dhe arrestuar të dyshuarin bashkë me veturën të cilën ishte duke e keqpërdorur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
