Në seancën e fundit gjyqësore të zhvilluar në dhomën penale të Gjykatës së Tiranës, janë marrë në pyetje pesë të mitur në cilësinë e dëshmitarëve për vrasjen e Martin Canit, ngjarje e ndodhur pranë shkollës “Fan Noli”, ku i akuzuar është Mario Përlleshaj.
Dëshmia e të miturve u mor në prani të psikologes dhe prindërve të tyre, ku ata kanë rrëfyer për dinamikën e ngjarjes tragjike. Seanca e radhës është caktuar për më 28 maj, ku pritet të dëshmojnë edhe tetë të mitur të tjerë që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen.
Seanca nuk ka kaluar pa tensione. Debate janë shënuar mes prokurores Alma Felaj dhe familjarëve të Luis Meçes, i cili mbeti i plagosur në të njëjtën ngjarje. Babai i tij është përjashtuar nga salla me vendim të gjykatës, pas përplasjes me prokuroren.
Debati nisi gjatë diskutimeve mbi ditën para vrasjes, kur Martin Cani dhe Luis Meçe kishin qenë duke luajtur futboll në Kavajë dhe ishin shoqëruar në kthim nga prindërit e Luizit. Është përmendur edhe mundësia që mes palëve të ketë pasur një konflikt telefonik në mbrëmje. Gjatë diskutimit, prokurorja Felaj tha: “Mbase prindërit kanë qenë në gjumë”, çka shkaktoi reagimin e fortë të babait të Luizit, i cili iu drejtua prokurores me fjalët: “Ju po flini gjumë me dosjen, ne na zien zemra çdo ditë.”
Procesi gjyqësor për këtë ngjarje vijon të ndjeket me vëmendje për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka shkaktuar në opinionin publik.
