Arrest shtëpiak për Artan Grubin në rastin “Lotaria Shtetërore”

Para 7 muaj

Zyra e Prokurorit Publik ka propozuar masën e arrestit shtëpiak për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, i cili u vetëdorëzua më 23 shkurt në pikën kufitare Bllacë.

Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin “Lotaria Shtetërore”, ku sipas prokurorisë ai dhe një person tjetër kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).

Gjykata Themelore Penale në Shkup ka pranuar propozimin e prokurorisë, duke vendosur arrest shtëpiak me mbikëqyrje 24-orëshe nga autoritetet e Ministrisë së Brendshme.