Aktakuza e dytë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi po konsiderohet të jetë arsye e mundshme që Gjykata Speciale nuk i dha leje atij të merr pjesë sot në ceremoninë e varrimit të babait të tij, Haxhi Thaçi.
Avokati Ardian Bajraktari, tha se nuk ka bazë për moslejimin e pjesëmarrjes së Thaçit në varrimin e babait të tij, ngase është vendim jo human dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Gjykata Speciale në Hagë në dhjetor të dhjetor 2024-ës, ka ngritur aktakuzë të re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt e Fadil Fazliut, për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë.
“Bazuar në praktikën që është ndërtuar prej Dhomave të Specializuara sa i përket çështjeve të tilla, vlerësoj që në ditët në vijim do të duhej të lejohej të merr pjesë zotrin Thaçi në ceremoninë e të pamjes, së paku të çmallet dhe ngushëllohet reciprokisht me familjarët e vet, për këtë vdekje të babait të tillë”, potencoi Bajraktari.
Babai ish-presidentit Thaçi vdiq të dielën, disa kohë pasi u raportua se gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë. Ditë më parë, Thaçi vizitoi të atin në Klinikën Interne pranë QKUK-së, ku tashmë i ndjeri po trajtohej.
Varrimi i tij u bë sot në orën 15:00 në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt. /KP
