Analisti politik Bekim Çollaku ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili së fundmi ka thënë se ka ndalur një luftë mes Kosovës dhe Serbisë. I ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Çollaku kritikoi institucionet e Kosovës për mungesë të plotë të transparencës dhe llogaridhënies.
Sipas tij, autoritetet kryesore të shtetit nuk kanë ofruar asnjë informacion lidhur me këtë deklaratë dhe, për më tepër, kanë dështuar të reagojnë institucionalisht.
“Nuk kemi llogaridhënie, transparencë as nga presidentja, as nga kryeministri, as nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, as nga Policia e Kosovës, as nga FSK-ja. Asnjëri nga këto institucione deri më sot nuk e ka dhënë asnjë sqarim të vetëm,” deklaroi Çollaku.
Ai shtoi se nëse ka pasur realisht ndonjë kërcënim për përshkallëzim të situatës, atëherë institucionet do të duhej të ishin përgatitur dhe të kishin informuar publikun me kohë.
“Nuk mund të përgatiten tash, sepse nëse ka pasur kërcënim, do të thotë ai kërcënim tashmë ka kaluar. Mirëpo, është përkeqardhje në çfarë niveli ka rënë shteti i Kosovës.”
Çollaku përfundoi deklaratën e tij me një kritikë të fortë ndaj funksionimit të institucioneve:
“Sot shteti jonë pa përjashtim është shndërruar në një shtet me të cilin mund të tallet, mund të bëjë hajgare kushdo qoftë. Sepse askush nuk është në nivelin e detyrës që ia përcakton Kushtetuta dhe Ligji.”
Deklarata e tij vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara, ndërsa diskursi ndërkombëtar shpesh i referohet ndërhyrjeve të kaluara për të parandaluar eskalimin e konfliktit në rajon.
