Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani, ka thënë se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut është lënduar.
Ai ka thënë se si parti do të dorëzojnë ankesë në PZAP e varësisht nga vendimmarrja e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa do të procedojnë edhe në organe tjera.
“Ajo çfarë kemi parë është shumë shqetësuese për ne si PDK, si anëtarë të PDK-së në KQZ. Sot ankesa do të dorëzohet tashmë në PZAP dhe do të vazhdohet me procedimin e asaj edhe në organe të tjera varësisht prej vendimit të PZAP-së. Konsiderojmë që në sytë e opinionit publik, në sytë e qytetarëve ky u proces tashmë është i dëmtuar, është cenuar integriteti i zgjedhjeve dhe presim një vendim nga PZAP pas dorëzimit të ankesës. Kjo çka ka ngjarë këtu, çka kemi parë ne nga një klasë në klasën tjetër të fletëvotimeve, por edhe nga një shkollë në shkollën tjetër, e lëndon tërësisht procesin e votimit këtu në komunën e Mitrovicës.
I pyetur për qëndrimin e tyre pas urdhëresës që lëshoi Prokuroria e Shtetit për rifillim të procesit të numërimit të votave në këtë komunë, ai tha ende nuk kanë pranuar asgjë zyrtarisht se organet e partisë, sipas tij, do të vendosin nëse ekipet e tyre do të marrin pjesë në QKN.
“Ne zyrtarisht ende nuk e kemi pranuar këtë komunikim dhe në momentin që e pranojmë konsideroj që organet e PDK-së do të shqyrtojnë e do të ndërmerren hapat e mëtutjeshëm lidhur me procedimin se a do të marrin pjesë apo jo ekipet e numërimit në QKN. Ajo çka ne e dimë është që ekipet e numërimit gjatë ditës së djeshme janë larguar nga Qendra Komunale e Numërimit për shkak që nuk kanë dashur të nënshkruajnë formularët dhe nuk kanë dashur të legjitimojnë një proces për të cilin ata kanë dyshuar”, tha ai.
