E di çfarë do të thotë të paguash për bindjet”: Fetah Rudi kujton atentatin që e la në karrocë
Ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi, ka reaguar pas kritikave dhe etiketimit politik ndaj partisë së tij, duke kujtuar plagosjen e rëndë që pësoi para 26 vitesh.
Rudi tha se për shkak të angazhimit të tij politik në LDK ishte plagosur dhe se që nga atëherë jeton në karrocë.
“Unë e di më së miri se çfarë do të thotë të paguash për bindjet e tua. Për shkak të angazhimit tim në LDK, para 26 vitesh u plagosa dhe që nga atëherë jetoj në karrocë. Edhe sot, unë dhe familja ime presim drejtësi”, shkroi Rudi.
Rudi u plagos në një atentat në dhjetor të vitit 2000, në hyrje të Malishevës. Si pasojë e plagëve, ai mbeti i paralizuar.
Në reagimin e tij, ai kritikoi gjuhën e etiketimit dhe linçimit politik, duke thënë se një mendësi e tillë, sipas tij, ka pasur pasoja të rënda në të kaluarën.
“LDK-ja ka kaluar shumë dhe ka mbijetuar shumë. Ka humbur njerëz, ka derdhur gjak dhe ende pret drejtësi. Nuk duhet dhe nuk lejojmë që historia të harrohet”, deklaroi Rudi.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur LDK-ja është përballur me kritika pas qëndrimit të saj në Kuvend lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Reagimi i Rudit:
Fatkeqësisht, kjo logjikë e etiketimit dhe e linçimit politik nuk është e re.
LDK-ja është sulmuar edhe më parë me të njëjtën gjuhë, me etiketime, urrejtje dhe linçime. Dhe të gjithë e dimë se ku çoi ajo mendësi. U vranë veprimtarë të LDK-së, njerëz që kishin vetëm një “faj”: bindjet e tyre politike, besnikërinë ndaj Kosovës dhe qëndrimin besnik ndaj vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova.
Unë e di më së miri se çfarë do të thotë të paguash për bindjet e tua. Për shkak të angazhimit tim në LDK, para 26 vitesh u plagosa dhe që nga atëherë jetoj në karrocë. Edhe sot, unë dhe familja ime presim drejtësi.
LDK-ja ka kaluar shumë dhe ka mbijetuar shumë. Ka humbur njerëz, ka derdhur gjak dhe ende pret drejtësi. Nuk duhet dhe nuk lejojmë që historia të harrohet.
LDK-ja ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë e historisë së shtetit të Kosovës.
