Giorgos Mazonakis reagon pas shtrimit të detyruar në spital psikiatrik: “Nuk vuaj nga asnjë sëmundje mendore – ky ishte një veprim i ndyrë”

Para 1 vit

Këngëtari i njohur grek, Giorgos Mazonakis, ka reaguar për herë të parë publikisht pas ngjarjes që ka tronditur opinionin: shtrimit të tij të detyruar në një spital psikiatrik, me iniciativë të familjarëve të tij. Ngjarja, e cila ndodhi më 14 gusht, është konfirmuar nga burime zyrtare dhe media të njohura greke.

Sipas Protothema, Mazonakis u transferua me urdhër të prokurorit në spitalin “Dromokaiteio” nga efektivët e policisë, pas një kërkese nga motra dhe të afërm të tjerë të këngëtarit. Ai u fut në ambientet e spitalit pa pëlqimin e tij, ndërkohë që përgatitej për të marrë pjesë në një festival muzikor.

Deklarata e këngëtarit: “Ky është një sulm personal”

Përmes avokatit të tij, këngëtari e quajti ngjarjen një “metodë të ndyrë”, duke theksuar se nuk vuan nga asnjë sëmundje mendore dhe se akti ishte “i motivuar nga interesa personale dhe hakmarrëse të familjes”.

“Nuk kam asnjë sëmundje mendore që të kërkojë trajtim. Ky ishte një veprim i ulët nga familjarët e mi. Më mashtruan, më çuan në një spital psikiatrik me qëllim të qartë për të më dëmtuar fizikisht dhe për të më penguar ligjërisht,” deklaroi Mazonakis.

Ai shtoi se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër personave përgjegjës dhe se e gjithë kjo ka ndodhur për t’i bllokuar disa padi që ai kishte ndërmend të ngrinte ndaj tyre.

Reagimi i familjes: “Shëndeti i tij është prioritet”

Familja e këngëtarit ka reaguar përmes një deklarate zyrtare duke theksuar se prioritet i tyre ka qenë shëndeti dhe siguria e Mazonakis. Ata nuk dhanë shumë detaje, por theksuan se nuk do të bëhen pjesë e debatit publik dhe se vendimi është marrë në përputhje me ligjin.

“Ne nuk kemi asnjë interes përveç ruajtjes së jetës dhe mirëqenies së tij. Kur kalon rreziku, të gjithë të tjerët mund të flasin sa të duan,” thuhej në deklaratën e avokatëve të familjes.

Mbështetje publike për artistin

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në publik dhe rrjete sociale. Miku i afërt dhe bashkëpunëtori i tij, Vangelis Mitrogiannis, deklaroi se “disa anëtarë të familjes së Giorgos po përpiqen ta shkatërrojnë atë”. Ai shtoi se këngëtari ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pasur kurrë sjellje që do të justifikonin një vendim të tillë.

Ky rast po ndjek nga afër nga publiku grek dhe mediat, teksa mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të ndërhyjë në këtë konflikt të brendshëm familjar me përmasa publike.

Burimet: Protothema.gr, Iefimerida.gr