Një incident i lehtë është regjistruar gjatë pasdites së sotme në komunën e Shtimes, ku një person është shoqëruar nga Policia e Kosovës në njërën nga qendrat e votimit.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Telegrafin se rasti ka ndodhur rreth orës 14:30, në qendrën e votimit që ndodhet në ambientet e shkollës fillore “Naim Frashëri”.
“Sot rreth orës 14:30, policia ka shoqëruar një person me inicialet E.M. në stacionin policor, për një incident të ndodhur në qendrën e votimit në shkollën ‘Naim Frashëri’ në Shtime”, ka deklaruar Veseli.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë dhe vlerësimit të situatës nga ana e prokurorit të shtetit, është konstatuar se nuk ka pasur elemente për ndonjë vepër penale.
“Personit në fjalë i është shqiptuar një tiket kundërvajtjeje për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ka sqaruar më tej Veseli.
Ai ka theksuar gjithashtu se Policia e Kosovës është e pranishme në të gjitha qendrat e votimit në rajonin e Ferizajt, duke garantuar siguri dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor.
