Kosova pa institucione, me sfida të mëdha sigurie

Para 1 vit

Eartë Ramiqi

Nga Ukraina e deri në Lindjen e Mesme, tensionet gjeopolitike janë në rritje, ndërsa Kosova përballet me ngërç të brendshëm politik dhe pasiguri strategjike.

Në një kohë kur bota është duke hyrë në një fazë të re konflikti të hapur dhe të shumëanshëm, mes Rusisë dhe Ukrainës, Iranit dhe Izraelit, si dhe me konfliktin e përhershëm Izrael–Palestinë që ka marrë dimensione të reja ,Kosova përballet me një krizë politike të brendshme, që e ka lënë vendin pa institucione funksionale për muaj të tër.

Kjo ndodh në një moment kur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç , ish-ministër në qeverinë e Millosheviqit , ka forcuar diskursin agresiv ndaj Kosovës, duke deklaruar publikisht se “rendi botëror po ndryshon” dhe se Serbia është e gatshme të rimarrë kontrollin mbi Kosovën. Këto deklarata, të ndërlidhura me lëvizje të shpeshta ushtarake në kufi dhe mbështetje të zëshme nga Rusia, ngjallin shqetësime për sigurinë rajonale.

Ndërkohë, Donald Trump, presidenti i SHBA-së, së fundmi tha se gjatë mandatit të tij të parë e kishte ndaluar një luftë mes Kosovës dhe Serbisë , një mesazh që sugjeron se paqja në Ballkan nuk është e garantuar, por e kushtëzuar nga ndërhyrje ndërkombëtare.

Ngërçi politik në Kosovë

Përballë kësaj tabloje të zymtë, Kosova nuk ka arritur të formojë Kuvendin e ri e as Qeverinë pas zgjedhjeve, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike. Kjo situatë e pazgjidhur minon jo vetëm stabilitetin institucional, por edhe gatishmërinë për t’u përballur me kriza të jashtme.

Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) janë një komponent krenarie për vendin, por pavarësisht përgatitjes dhe profesionalizmit, ato nuk janë ende të pajisura me armatim të sofistikuar dhe të mjaftueshëm për t’u përballur me një kërcënim serioz të jashtëm pa ndihmën e NATO-s. Derisa Serbia furnizohet me sisteme të avancuara ushtarake nga Rusia dhe Kina, Kosova ende nuk ka qasje të plotë në tregje ndërkombëtare të armëve, për shkak të mosnjohjes së saj nga një pjesë e vendeve anëtare të BE dhe mos pranimit në OKB

Pse është moment kritik?

Sepse historia na mëson se mungesa e institucioneve të forta, kriza politike dhe rreziqet e jashtme janë një përzierje e rrezikshme për çdo shtet, veçanërisht për një vend si Kosova që ende lufton për njohje ndërkombëtare dhe siguri të brendshme.

Nëse Kosova nuk arrin të konsolidojë institucionet dhe të forcojë koordinimin me aleatët strategjikë si SHBA, NATO dhe BE, ajo mund të mbetet e ekspozuar në një kontekst ndërkombëtar gjithnjë e më të paparashikueshëm.

Kosova duhet urgjentisht të dalë nga ngërçi politik dhe të krijojë institucione funksionale që mund të menaxhojnë sfidat e brendshme dhe të jashtme. Koha nuk është në favorin e saj ,ndërsa flakët e konflikteve globale mund të përfshijnë edhe rajonin tonë nëse mungon vendosmëria, përgatitja dhe uniteti.