Kurti mbron mandatimin e Konjufcës: “56 vota janë të sigurta, zgjedhjet do të ishin dëm

Para 11 muaj

Prishtinë, 4 nëntor 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për mandatar të qeverisë së re, Glauk Konjufca, i ka të sigurta 56 vota në Kuvend, dhe se mund të marrë edhe më shumë.

Në një konferencë për media, Kurti theksoi se nuk ekziston detyrim kushtetues për sigurimin e 61 nënshkrimeve para mandatimit të kandidatit për kryeministër, duke shtuar se kjo është tentativa e dytë për formimin e qeverisë pas mocionit të mosbesimit.

“Për mandatarin e ri, Glauk Konjufca, i ka të gjitha votat që i kam pasur unë. Unë mora 56 vota në seancën e 26 tetorit. 56 i ka të sigurta Glauku, ndoshta merr më shumë. Maksimumi im është minimumi i Glaukut,” tha Kurti.

Shefi i Qeverisë në detyrë e konsideroi të dëmshëm shkuarjen në dy palë zgjedhje brenda pak muajve, duke kërkuar që të bëhet çdo përpjekje për të formuar qeverinë e re dhe për të miratuar buxhetin vjetor.

“Është dëm i madh nëse detyrohemi të kemi zgjedhje në dhjetor dhe në prill. Tentimi i dytë është jo vetëm i drejtë, por edhe obligim, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e reja,” shtoi ai.

Kurti po ashtu kritikoi opozitën që, sipas tij, po refuzon të votojë buxhetin e Qeverisë në detyrë, dhe theksoi se formimi i një qeverie të re të votuar në Kuvend do të siguronte stabilitet institucional.

Ky deklarim i Kurtit vjen pas propozimit zyrtar të Glauk Konjufcës si mandatar nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe pas reagimeve të LDK-së dhe PDK-së, të cilat kanë theksuar se në Kuvend nuk ekziston shumicë për formimin e qeverisë dhe se zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.