Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas propozimit të Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) si mandatar për formimin e qeverisë, duke theksuar se vendi ndodhet në një ngërç institucional dhe se zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.
Në komunikatën e lëshuar për media, LDK ka deklaruar se është e qartë që asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën parlamentare për të formuar qeverinë, prandaj zgjidhja e vetme mbetet kthimi te qytetarët.
“Dalja nga bllokada institucionale mund të bëhet vetëm përmes kthimit te sovrani – qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri,” thuhet në reagimin e LDK-së.
Partia ka theksuar përkushtimin e saj ndaj rendit kushtetues, procesit demokratik dhe rrugës euro-atlantike të Kosovës, duke paralajmëruar një program të qartë qeverisës me zgjidhje për ekonominë, sundimin e ligjit dhe mirëqenien sociale.
LDK ka bërë apel për veprim me pjekuri politike, shmangie të retorikës përçarëse dhe zhvillim të një procesi të qetë e demokratik, duke nënvizuar se legjitimiteti i institucioneve duhet të vijë nga vullneti i lirë i qytetarëve.
“Mandati për qeverisje u takon qytetarëve; le ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira dhe të drejta,” përfundon komunikata.
