LDK reagon ashpër: “Nuk shantazhohemi, as me etiketime e as me kërcënime”

Para 10 ditë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj kritikave për qëndrimin e deputetëve të saj, duke e cilësuar vendosjen e tyre në një rresht me deputetët e Listës Serbe si përpjekje për linçim publik dhe presion politik.

Në reagim, LDK thekson se qëndrimet e saj burojnë nga përgjegjësia ndaj shtetit dhe se për çështjet e ndjeshme kërkohet seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët.

Partia ka rikujtuar gjithashtu identitetin e saj politik, të lidhur me trashëgiminë e Ibrahim Rugovës, orientimin euroatlantik, si dhe me kërkesën për drejtësi për veprimtarët e saj të vrarë.

Sa i përket luftës së UÇK-së, LDK thotë se ajo është e shenjtë, ndërsa drejtësia për viktimat mbetet detyrim. Në fund, partia u ka bërë thirrje subjekteve politike që të shmangin gjuhën e linçimit dhe përçarjes, duke kërkuar më shumë maturi dhe bashkëpunim.

Reagimi i LDK-së

REAGIM I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Vendosja e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe, për shkak të qëndrimit tonë parimor, logjik e shtetar, është përpjekje e ulët për linçim publik dhe kërcënim politik.

Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla.

Qëndrimi ynë buron nga përgjegjësia ndaj Kosovës. Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike. Çështje kaq të ndjeshme kërkojnë seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët tanë.

Po aq qartë, LDK nuk e braktis identitetin e vet ekzistencial. Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi. Askush nuk mund të na kërkojë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, aq më pak të na kërcënojë pse kërkojmë drejtësi.

Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi.

LDK-së nuk i caktohet qëndrimi me shantazh. Dhe nuk i merret identiteti me kërcënim.

U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe udhëheqësve të tyre të tregojnë përgjegjësi dhe të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit e përkrahësit e tyre. Të ndalin gjuhën e linçimit dhe të mos e kthejnë këtë çështje në betejë kundër njëri-tjetrit. Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq. Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim; nxitja e urrejtjes mes nesh vetëm e dobëson atë.