Lushaku-Sadriu: Apeli është beteja e vërtetë, LDK-ja mbështet ndihmën institucionale për ish-krerët e UÇK-së

Para 22 ditë

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia e saj mbështet ndihmën institucionale për procesin e Apelit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë me gjithsej 81 vjet burgim.

Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ajo ka theksuar se mbështetja institucionale është e rëndësishme për garantimin e të drejtave të njeriut dhe për paraqitjen e fakteve e argumenteve në fazën e Apelit.

“Absolutisht jemi për ta mbështetur, për t’i dhënë mbështetjen institucionale dhe për të garantuar të drejtat e njeriut. Tek e fundit, këtu jemi duke folur për drejtësi dhe për këtë qëndron edhe shteti i Kosovës”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Ajo ka bërë të ditur se LDK-ja mbështet edhe hartimin e një strategjie kombëtare për këtë proces, si dhe ndihmën institucionale në fazën e Apelit.

“Jemi prapa që e mbështesim edhe këtë ide. Gjithsesi, dëshirojmë të themi se jemi edhe për ta ndihmuar këtë proces me strategji kombëtare dhe me mbështetjen për nivelin e Apelit, sepse niveli i Apelit është beteja e vërtetë”, është shprehur ajo.

Sipas Lushaku-Sadriut, në këtë fazë duhet të bëhen përgatitjet e nevojshme dhe të paraqiten të gjitha faktet, në mënyrë që e vërteta të dalë në pah.

“Atje duhet të përgatiten dhe t’i japin të gjitha faktet, që e vërteta të dalë në pah”, ka thënë ajo.