Martesat e hershme nuk janë ‘traditë’ janë pabarazi

Para 1 vit

Nga Kiki Rrahmani

Në një shoqëri që pretendon të ecë drejt barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut, martesat e hershme mbesin një plagë e hapur veçanërisht për komunitetet etnike në Kosovë: romët, ashkalinjt dhe egjiptianët. Për shumë prej vajzave dhe djemve të këtyre komuniteteve, e ardhmja ndërpritet shumë shpejt jo nga zgjedhja e tyre, por nga një praktikë që shpesh maskohet si “traditë”.
Por le ta themi qartë: martesat e hershme nuk janë trashëgimi kulturore. Ato janë formë e pabarazisë, abuzimit dhe mohimit të të drejtave themelore të fëmijëve.

Hulumtimi që theu heshtjen:
Së fundmi, u prezantua Hulumtimi Kombëtar mbi martesat e hershme tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, një dokument gjithëpërfshirës që sjell fakte të rëndësishme në tryezën e politikëbërjes, aktivizmit dhe vetë komuniteteve. Ky raport është një hap domethënës për të kuptuar dhe trajtuar këtë fenomen të ndjeshëm, duke shpjeguar edhe bazat ligjore dhe kulturore që shpesh përzihen dhe keqinterpretohen.
Studimi thekson se martesa e hershme është, para së gjithash, shkelje e të drejtave të fëmijës, një akt që i mohon të miturit mundësinë për arsim, zhvillim emocional, autonomi personale dhe një jetë pa dhunë apo presion.
As “vullnet”, as “zakon” është shkelje.
Shpesh ndodh që vetë të miturit shprehin njëfarë “pëlqimi” për martesë, por ligjërisht dhe moralisht, ky pëlqim nuk ka vlerë sepse fëmijët nuk kanë kapacitet të plotë për vendimmarrje, dhe janë të ndikuar nga presioni familjar, shoqëror apo ekonomik. Rrjedhimisht, një “martesë” e tillë nuk mund të quhet marrëdhënie e ligjshme apo e barabartë por një formë e dhunës strukturore dhe sociale.
Raporti thekson se, përtej normave kulturore, martesat e hershme janë të ndaluara me ligj. Ato nuk mund të justifikohen as me “ruajtjen e pastërtisë kulturore”, as me “zakonet” përkundrazi, ato duhen parë si praktika diskriminuese që pengojnë emancipimin e të gjithë komunitetit.

Arsimimi & martesa, një betejë për të ardhmen!?
Një nga gjetjet më shqetësuese të hulumtimit është se vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian shpesh ndodhen në pozitë më të pafavorshme se djemtë, sidomos në qasje në arsim dhe informacion. Shkollimi i ndërprerë, presioni për t’u martuar dhe mungesa e mbështetjes sociale i lënë këto vajza në një cikël të pabarazisë dhe varfërisë që vazhdon brez pas brezi.
Zgjidhja? Edukimi. Informimi. Ndërgjegjësimi.
Arsimimi është rruga më e sigurt për të thyer këtë cikël. Por për këtë nevojitet një angazhim i gjerë: nga prindërit, mësuesit, institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë komunitetet. Media gjithashtu ka rol kritik për të nxjerrë në pah realitetin e dhimbshëm që fshihet pas martesave të hershme dhe për të sfiduar narrativat diskriminuese.
Mos e heshtni dhunën, organizohuni kundër saj.
Raporti sjell edhe një analizë të formave të ndryshme të martesave me fëmijë: që nga ato të “rregulluara” me leje të gjykatës (pas moshës 16 vjeçare), tek martesat e detyruara e deri tek ato të hershmet. Kjo qartësi ndihmon institucionet për të identifikuar përgjegjësit dhe për të ndërtuar politika efektive.
Ndërkaq, rekomandimet e raportit janë: nevojitet veprim i bashkërenduar ndërinstitucional, nga drejtësia, arsimi, shërbimet sociale dhe vetë komunitetet. Për më tepër, kërkohet ndërhyrje kulturore dhe edukative për të ndryshuar perceptimet që e normalizojnë martesën e hershme si “rrugëdalje” ose si “detyrim”.
Për një Kosovë që respekton fëmijët e vet.
Kosova është një shoqëri shumëetnike me diversitet të pasur, por kjo nuk mund të shërbejë si mburojë për të heshtur padrejtësitë. Martesat e hershme janë simptomë e pabarazisë dhe e mungesës së përfshirjes sociale. Çdo fëmijë, pavarësisht përkatësisë etnike, meriton një fëmijëri të lirë, të sigurt dhe të mbrojtur.
Ky raport është një burim i vlefshëm për të gjithë ata që duan të ndërtojnë një Kosovë më të drejtë: nga institucionet e nivelit lokal dhe qendror, te donatorët ndërkombëtarë, studiuesit dhe aktivistët.
Por mbi të gjitha, është një thirrje e fuqishme për ndryshim. Sepse martesa nuk është për fëmijët. Fëmijët janë për ëndrrat, lojërat dhe të ardhmen.