Me jelek antiplumb për të ruajtur provat e krimeve: Dëshmia rrënqethëse e Esat Shalës”

Para 10 muaj

Arkivisti i materialeve të luftës, Esat Shala, ka deklaruar se posedon mbi 30 mijë orë incizime autentike nga masakrat e kryera në Kosovë gjatë viteve ’98–’99, duke theksuar se i ruan personalisht sepse “nuk i beson shtetit”.

Në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, Shala tha se në Institutin e Krimeve të Luftës ka dorëzuar më shumë se 10 terabajt video dhe qindra fotografi që dokumentojnë krimet serbe, por shton se nuk është ndjerë as i vlerësuar e as i mbrojtur nga institucionet.

“Ata po krenohen me punën time, por unë nuk ndihem i sigurt. Tutna me dorëzu edhe incizime të tjera”, tha ai.

Shala ka përmendur se të vetmet masakra që nuk i ka incizuar personalisht janë ajo e Mejës, e dokumentuar nga vëllezërit Buqpapaj, dhe ajo e Poklekut në Drenas. Për më tepër, ka bërë të ditur se mbi 2000 orë incizime i ka dërguar në Gjykatën Speciale në Hagë, si pjesë e dokumentimit të proceseve që po zhvillohen ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Ai shprehu shqetësimin se është ndier i rrezikuar për shkak të materialeve që zotëron, duke treguar se shpesh ka lëvizur “nga Drenica në Prishtinë me jelek antiplumb”.

“Unë duhet me i ru vet incizimet, me e rreziku jetën. Nuk besoj që në të ardhmen dikush ka me i trajtu seriozisht këto krime”, theksoi Shala.

Deklaratat e tij hapin sërish debatin për sigurinë e dëshmitarëve, institucionet e dokumentimit të krimeve të luftës dhe ruajtjen e provave historike.