Mitrovica bashkohet mbi Ibër – Hapet ura e re, qytetarët: “Kjo është ditë historike”

Para 1 vit

Njëra nga dy urat e reja të ndërtuara mbi lumin Ibër në Mitrovicë është hapur sot për qarkullim të automjeteve, duke shënuar një moment simbolik dhe praktik për lidhjen mes pjesës jugore dhe veriore të qytetit.

Qytetarët e pranishëm e kanë pritur me entuziazëm këtë hap, duke shprehur emocionet e tyre përmes fjalëve të thjeshta, por domethënëse.

“Kjo është kënaqësi… dalin shlirë, kthehen shlirë. Nuk kanë pengesë,” u shpreh qytetari Naser Rashiti.

Skender Peci theksoi rëndësinë simbolike të urave:

“Urat bashkojnë njerëzit, qytete, kalojnë edhe liqene – dëm kurrë s’kanë bërë, veç dobi.”

Edhe banori i lagjes së Boshnjakëve, Agron Beqiri, vlerësoi se ura do të ndikojë pozitivisht në lëvizjen dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

“Hap i mirë për banorët… u bashku kjo pjesë për me dalë me vetura.”

Zëvendës drejtori i Policisë për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani, bëri të ditur se për dy muaj me radhë janë ndërmarrë masa sigurie për mbarëvajtjen e punimeve dhe hapjen pa incidente të urës.

Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të jetës në qytetin e ndarë për dekada nga tensionet ndëretnike.