Ndahet nga jeta ish-luftëtari i UÇK-së dhe i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Besnik Klaiqi

Para 1 vit

Prishtinë, 25 qershor 2025 – Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të burgosurit politik, Besnik Klaiqi. Familjarët e të ndjerit kanë njoftuar se ai ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë, nga e cila vuante prej kohësh.

Klaiqi ishte një emër i njohur në radhët e atyre që dhanë kontribut të çmuar për lirinë e Kosovës. Ai ishte bashkëvuajtës në burg me intelektualin e njohur Ukshin Hoti dhe njëri ndër të mbijetuarit e masakrës së tmerrshme në burgun e Dubravës – një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së re të Kosovës.

“U shua para kohe nga kjo jetë, i dashuri shoku ynë Besnik Klaiqi, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të papritur. Zemrat tona sot janë të thyera… sepse humbëm jo vetëm një mik, por një bashkëluftëtar që ndriçoi çdo rrugë ku kaloi gjatë përpjekjeve për liri e bashkim kombëtar”, thuhet në njoftimin e familjes.

Vdekja e Klaiqit është një humbje e madhe për komunitetin, për bashkëluftëtarët dhe për të gjithë ata që e njohën nga afër përkushtimin e tij ndaj çështjes kombëtare dhe lirisë së popullit shqiptar.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Klaiqi, miqve dhe gjithë atyre që ndanë rrugëtimin me të ndjerin. Kujtimi për Besnik Klaiqin do të jetojë gjatë në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës.