Shkruan:Gani Geci
Një analizë e thjeshtë
Ju që po përpiqeni të bëni çfarëdo afrimi apo edhe tentativë afrimi të LDK-së me PDK-në, duhet ta kuptoni një herë e mirë:
ky afrim i ka kushtuar dhe po i kushton LDK-së humbje të rënda votash elektorale.
Kjo nuk është teori, por fakt i përsëritur në histori.
E njëjta gjë ndodhi në vitet 2006–2007, kur Fatmir Sejdiu u afrua me Hashim Thaçin dhe PDK-në. Në atë periudhë LDK-ja u përgjysmua. Kundërshtarët e këtij afrimi u përjashtuan nga LDK-ja dhe si rezultat u formua LDD-ja, ku pjesë isha edhe unë.
Vetëm më pas filloi një rikuperim i ngadalshëm dhe i vështirë i elektoratit të LDK-së.
Më vonë, Fatmir Sejdiu mori dy këshilltarë: Isa Mustafën për ekonomi dhe Vjosa Osmanin për çështje juridike.
Isa Mustafën e bëri kandidat për kryetar të Prishtinës, ndërsa Vjosën e dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës.
Që të dy u dëshmuan si karrieristë të përbetuar.
Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani u forcuan në elektoratin e LDK-së pikërisht duke kundërshtuar afrimin e LDK-së me PDK-në.
Pra, kushdo që e kundërshtonte këtë afrim – qoftë edhe vetëm me fjalë apo në Facebook – rritej politikisht brenda LDK-së. Madje, shpesh më shumë përfitonin ata që kundërshtonin me fjalë sesa ata që kundërshtonin me vepra.
Isa Mustafa u shndërrua në figurë të madhe në LDK kur filloi ta kundërshtonte afrimin e Fatmir Sejdiut me Hashim Thaçin dhe koalicionin me PDK-në.
Me kauzën “kurrë me PDK-në”, ai u forcua: nga kryetar i Prishtinës u bë kryetar i LDK-së, duke e tradhtuar Fatmir Sejdiun dhe duke u afruar më pas vetë me Hashim Thaçin.
Ndërkohë, Vjosa Osmani, duke kundërshtuar afrimin me PDK-në, vazhdonte të rritej brenda LDK-së.
Por kauza e Isa Mustafës “kurrë me PDK-në” ra në momentin kur ai vetë bëri koalicion me PDK-në.
Menjëherë filloi rënia e tij politike dhe e reputacionit të tij.
Në të kundërt, kundërshtimi i Vjosa Osmanit ndaj këtij koalicioni e rriti edhe më shumë autoritetin e saj brenda LDK-së, ndërsa atyre që e përkrahnin koalicionin me PDK-në u binte autoriteti: Agim Veliu, Lutfi Haziri, Skënder Hyseni e të tjerë.
Vjosa rritej, të tjerët binin.
Në vitin 2019 u mbajt Kuvendi i LDK-së. Vjosa e la Fatmir Sejdiun dhe iu bashkua Isa Mustafës.
Më pas, PDK e tradhtoi Isa Mustafën, njësoj siç e kishte tradhtuar më herët edhe Fatmir Sejdiun.
Në zgjedhjet e vitit 2019, LDK u detyrua ta kandidonte Vjosa Osmanin për kryeministre për shkak të rritjes së autoritetit të saj.
Më pas ndodhi pandemia dhe prishja e koalicionit.
Albin Kurti e luajti lojën me zgjuarsi dhe e largoi Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.
LDK bëri gabim fatal: në vend që ta zëvendësonte ministrin, e prishi koalicionin me LVV-në.
U formua qeveria e Avdullah Hotit, por Hoti nuk arriti të bëhej lider real i LDK-së.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rrëzimit të qeverisë së tij, pasuan zgjedhjet e vitit 2021.
Vjosa formoi GUXO-n dhe bëri koalicion me LVV-në. LDK-ja u përgjysmua sërish.
Në shkurt të vitit 2025, trajektorja e LDK-së filloi të rritej falë votuesve që më herët kishin kaluar te GUXO dhe LVV-ja.
Por pas nëntë muajsh bllokade institucionale, LVV e sulmoi LDK-në për shkak të afrimit të saj me PDK-në dhe, në zgjedhjet e fundit, LDK-ja u kthye përsëri në gjendjen e vitit 2021.
Që në fillim ishte e qartë se po përsëritej i njëjti skenar, edhe pse disa e arsyetonin këtë me “lodhjen e elektoratit”.
Personat që e sollën LDK-në në këtë gjendje janë të njëjtët: kundërshtarët e koalicionit me LVV-në. Ata kanë emra dhe mbiemra, dhe kryetari i LDK-së i njeh shumë mirë.
Faji për mosformimin e institucioneve iu faturua LDK-së.
Votuesit që ishin kthyer te LDK-ja u kthyen sërish te LVV-ja.
LDK humbi rreth 60 mijë vota nga shkurti deri në dhjetor.
LVV i organizoi zgjedhjet në kohën më të përshtatshme për vete. Edhe kjo është politikë.
Politika është arti i së mundshmes.
Pa u bashkuar krahët e thyer të LDK-së dhe pa u distancuar qartë nga PDK-ja, nuk shihet në horizont ndonjë ngritje reale e saj.
Nuk është përgjegjës vetëm kryetari i LDK-së. Përgjegjës janë strukturat që refuzuan uljen në tavolinë me LVV-në dhe e shtynë LDK-në drejt opsionit më të keq të mundshëm.
Nga dy të këqija, zgjodhën më të madhen.
LVV funksionoi edhe përmes propagandës, edhe përmes shpërndarjes së 100 eurove nga paratë e taksapaguesve.
Kur qytetari sheh 100 euro më shumë në konto një javë para zgjedhjeve, vota shkon aty.
Askush nuk e sheh faturën e rrymës – por e sheh shumën në konto.
