Pejë, 10 gusht 2025 – Sot shënohen 27 vjet nga rënia heroike e Bekim Berishës – Abeja, një nga figurat më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili dha jetën në betejën e Junikut më 10 gusht 1998.
Kush ishte Bekim Berisha?
Bekim Berisha lindi më 15 qershor 1966 në Graboc të Pejës. Që në rini tregoi shpirtin luftarak dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Me shpërthimin e luftërave në ish-Jugosllavi, ai iu bashkua forcave vullnetare në Kroaci dhe Bosnje, ku u dallua për guximin dhe përkushtimin, duke u dekoruar me gradën Gjeneral nga Ushtria Kroate.
Rikthimi në Kosovë dhe angazhimi në UÇK
Në fillim të vitit 1998, Berisha u kthye në Kosovë dhe iu bashkua radhëve të UÇK-së. Fillimisht veproi në Açarevë, ku themeloi një Akademi Ushtarake, e cila u bë qendër përgatitjeje për luftëtarët shqiptarë. Më pas, ai u zhvendos në Gllogjan, ku luftoi krah për krah me Ramush Haradinajn dhe shumë dëshmorë të tjerë.
Rënia në betejën e Junikut
Më 10 gusht 1998, në një nga betejat më të ashpra kundër forcave serbe në Junik, Bekim Berisha ra dëshmor së bashku me bashkëluftëtarët Bedri Shala, Elton Zherka, Përmet Vula dhe Bashkim Leka. Ata mbetën përgjithmonë në kujtesën kolektive si simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.
Thëniet që lanë gjurmë
Një nga shprehjet më të njohura të Berishës gjatë luftës ishte:
“Serbët nuk donë diplomaci, veç luftë.”
Me këtë ai nënvizonte bindjen se liria nuk arrihet me dialog, por me vendosmëri dhe përballje të drejtëpërdrejtë:
“Zjarr për zjarr.”
Nderimi pas luftës
Pas përfundimit të luftës, Bekim Berisha u nderua me gradën Gjeneralmajor nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Emri i tij qëndron lart në panteonin e heronjve kombëtarë dhe përkujtohet me nderim të thellë nga gjeneratat e sotme.
