Përpjekja e 32-të për Konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Para 1 vit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në një përpjekje tjetër – tashmë të 32-tën – për të konstituuar legjislaturën e nëntë të Kuvendit. Seanca konstitutive do të vazhdojë në orën 11:00, por pa sinjale të qarta për një zgjidhje të ngërçit politik që ka bllokuar formimin e institucioneve që nga 15 prilli.

Arsyeja kryesore e ngecjes është mungesa e votave për zgjedhjen e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje si kryetare e Kuvendit. Partitë Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk i kanë siguruar votat e nevojshme për ta kaluar këtë emërim.

Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese për ligjshmërinë e votimit të fshehtë që po e kërkojnë këto tri parti për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Formimi i komisionit mbikëqyrës që do të organizonte votimin e fshehtë është kundërshtuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), AAK dhe NISMA, duke thelluar më tej bllokadën institucionale.

Kjo seancë vjen në një ditë simbolike: më 15 qershor shënohet 17-vjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, një dokument themelor i shtetësisë dhe demokracisë parlamentare të vendit.