Përsëri lëndohet Amir Rrahmani – mungon për ndeshjet e tetorit me Kosovën

Para 1 vit

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, është lënduar sërish dhe do të mungojë në ndeshjet e tetorit me përfaqësuesen “Dardanët”.

Sipas mediave italiane, qendërmbrojtësi ka pësuar një lëndim gjatë stërvitjes së djeshme me klubin e tij Napoli, dhe si pasojë do të jetë jashtë fushave për disa javë.

Rrahmani nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e sotme ndaj Milanit, si dhe në përballjet e ardhshme të Napolit ndaj Sporting Lisbonës dhe Genoas.

Lëndimi i tij përbën gjithashtu një goditje për përfaqësuesen e Kosovës, pasi ai do të mungojë në dy ndeshjet e rëndësishme të muajit tetor ndaj Sllovenisë dhe Suedisë, në kuadër të ndeshjeve ndërkombëtare.

Burimet raportojnë se lojtari 31-vjeçar pritet të rikthehet më 18 tetor, në ndeshjen që Napoli do të zhvillojë kundër Torinos në Serie A.

Kujtojmë se Rrahmani u rikthye së fundmi në stërvitje pas një lëndimi që e kishte pësuar më 5 shtator në ndeshjen mes Kosovës dhe Zvicrës. Por, duket se rikuperimi i tij nuk ka qenë i plotë, dhe kapiteni ka hasur sërish në probleme fizike.