Kosova tashmë ka konstituuar Kuvendin dhe ka formuar Qeverinë, por programi qeverisës iu është shpërndarë deputetëve katër ditë pas votimit.
Pas publikimit, ligjvënësit dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë evidentuar një sërë mangësish në dokument. Sipas tyre, programi përmban objektiva të përgjithshme, mungesë afatesh të qarta dhe pak detaje konkrete për zbatimin e reformave kyçe.
Një nga pikat që ka nxitur reagime është reforma në drejtësi, e cila në program parashihet të trajtohet vetëm në fund të vitit. Kritikët vlerësojnë se një çështje kaq e rëndësishme nuk duhet të shtyhet, duke pasur parasysh sfidat ekzistuese në sistemin gjyqësor dhe kërkesat për rritje të transparencës dhe llogaridhënies.
Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile kanë kërkuar rishikim dhe plotësim të dokumentit, me qëllim që prioritetet të jenë më të qarta dhe të shoqërohen me afate konkrete zbatimi.
