Se a do të jetë diaspora, faktori vendimtar për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, u diskutua sot në emisionin “Kosova Today”.
Analisti Lulzim Veliu, thotë se diaspora mund të jetë përcaktuese e mandatit të dy ose tre deputetëve, por jo vendimtare për formimin e qeverisë së re, transmeton Klankosova.tv.
“Nuk mendoj që diaspora do të jetë përcaktuese [e qeverisë së re], për shkak se e pamë që zgjedhjet e shkurtit që vota e diasporës ka bërë ndryshim në dy apo tre deputetë, e jo më tepër. Ndërsa sa i përket datës, 28 dhjetor, për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, mua më duket se nuk është një datë shumë e mirë, dhe jo e menduar mirë, pasi kemi të bëjmë me një periudhë pushimesh, ku një pjesë e mirë e zyrtarëve të huaj që i kemi në Kosovë, dhe të gjithë vëzhguesit në Evropë, e kanë periudhë pushimesh”, tha Veliu.
Nga ana tjetër, gazetari Ardian Gaxherri, tha se qeveria në detyrë po tenton të manipulojë me votat e mërgatës.
Kjo pasi sipas tij, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që votimi jashtë Kosovës, të kryhet vetëm në Ambasada dhe Konsullata, aty ku, siç thotë Gaxherri, kontrollohet nga organi qeverisës.
“Unë bazohem gjithmonë në ato që janë të thëna. E kemi një kërkesë të ministres në detyrë, Donika Gërvallës, e cila i drejtohet KQZ-së që diaspora të votojë vetëm në Konsullata e Ambasada. Kjo ka qenë padyshim qëllimi, sepse ato [votat] janë më lehtë të manipulueshme brenda Ambasadave dhe Konsullatave, sepse janë të kontrolluara nga Qeveria”, u shpreh Gaxherri.
