Nga Artë Ramiqi
Ditëve të fundit, bota ka dëshmuar një valë të re të përkrahjes ndërkombëtare për popullin palestinez. Në qendër të kësaj vale është njohja zyrtare e shtetësisë së Palestinës nga disa vende të mëdha si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Portugalia, Franca, Belgjika, Luksemburgu, Malta dhe të tjera, zhvillime që janë përshëndetur gjerësisht në mbarë botën.
Në mesin e reagimeve më emocionale e më të përkushtuara, bie në sy përkrahja e popullit të Kosovës. Rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe solidariteti, flamuj palestinezë, lutje dhe deklarata të hapura për mbështetje të lirisë së këtij populli që ka përjetuar dekada të tëra vuajtje, okupim dhe padrejtësi.
Por përse Kosova, një shtet i vogël në Ballkan, reagon me kaq ndjenja të thella për Palestinën? A ka ky solidaritet vetëm motive emocionale apo edhe rrënjë historike, politike dhe njerëzore?
Për popullin e Kosovës, përkrahja ndaj Palestinës nuk është thjesht qëndrim politik. Është reflektim i një përvoje të njohur dhe të jetuar. Si një vend që kaloi përmes një lufte të përgjakshme në fund të viteve ’90, përjetoi spastrime etnike, krime kundër njerëzimit dhe mbi një milion refugjatë, Kosova ka një kujtesë kolektive shumë të freskët mbi vuajtjen dhe luftën për liri.
Pikërisht kjo përvojë historike e bën popullin kosovar të ndjejë një afërsi të veçantë me popullin palestinez. Aty ku bota pa për një kohë të gjatë dhimbjen e Kosovës dhe u vonua të vepronte, sot shumë qytetarë shohin një përsëritje të asaj padrejtësie tek Palestina. Dhe ndjejnë obligim moral të reagojnë.
Solidaritet që shkon përtej fesë..
Shumë shpesh përkrahja për Palestinën në botën myslimane lidhet me aspektin fetar. Por në Kosovë, ku shumica janë myslimanë laikë dhe ku toleranca ndërfetare është e theksuar, përkrahja për Palestinën ka më shumë karakter njerëzor dhe etik se sa fetar.
Përkrahja buron nga bindja se çdo popull ka të drejtë të jetojë i lirë, pa pushtim, pa bombardime mbi civilët dhe pa shkatërrime të jetës së përditshme. Dhe kur imazhet nga Gaza tregojnë spitale të bombarduara, fëmijë të plagosur apo gra që vajtojnë të afërmit e vrarë reagimi i publikut kosovar është i natyrshëm, emocional dhe i sinqertë.
Mediat, rrjetet sociale dhe zëri i qytetarëve
Në Kosovë, përkrahja për Palestinën nuk është organizuar nga ndonjë fushatë zyrtare ajo ka ardhur nga vetë qytetarët. Rrjetet sociale janë bërë platformë e protestës morale, ku mijëra komente, postime dhe reagime e përqafojnë kërkesën për drejtësi në Lindjen e Mesme,dy shtete izrael,Palestinë.
Nga profile personale e deri te figura publike, nga media vendore te komunitetet në diasporë – përkrahja është e dukshme dhe e fuqishme. Në mungesë të një qëndrimi të qartë institucional të Kosovës për shkak të ndjeshmërive diplomatike, populli ka zgjedhur të flasë vetë.
Një përkrahje që reflekton edhe betejën për njohje
Shteti i Kosovës, ndonëse i pavarur që nga viti 2008, ende nuk njihet nga të gjitha shtetet e botës. Kjo ndjesi e “shtetit të paplotë” në sytë e komunitetit ndërkombëtar, e bën popullin e Kosovës të jetë edhe më afër me kërkesën e Palestinës për njohje ndërkombëtare.
Shumë e shohin betejën palestineze për shtetësi dhe për të drejtën për të ekzistuar në hartën politike të botës si pasqyrim i betejës që vetë Kosova ka kaluar dhe ende po e vazhdon në disa fronte.
Njohjet e fundit të Palestinës: Rritje e shpresës globale
Në datat 21–22 shtator 2025, një valë shtetesh Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Portugalia, Franca, Belgjika, Malta, Luksemburgu, Monako, Andorra dhe San Marino njohën zyrtarisht Shtetin e Palestinës. Këto njohje u bënë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke i dhënë legjitimitet të ri diplomatik përpjekjeve të palestinezëve për vetëvendosje.
Ky zhvillim është përjetuar me entuziazëm edhe në Kosovë, ku shumë e shohin këtë si një fitore të drejtësisë dhe një shembull se, pavarësisht ngadalësisë së politikës ndërkombëtare, vullneti i popujve nuk mund të heshtet përgjithmonë.
Përkrahja e popullit të Kosovës ndaj Palestinës është shumë më tepër se sa thjesht simpati. Është solidaritet që buron nga përvoja, dhimbja e kaluar, kujtesa historike, morali njerëzor dhe aspirata për një botë më të drejtë.
Ndonëse qeveria palestineze nuk e ka njohur ende shtetësinë e Kosovës dhe nuk e ka përkrahur zyrtarisht pavarësinë e saj, është e pamohueshme se populli palestinez përmes mediave sociale, protestave dhe reagimeve publike ka treguar respekt dhe mirëkuptim për vuajtjen e popullit të Kosovës. Në shumë raste, qytetarët palestinezë kanë shprehur hapur përkrahje për të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, duke ndarë një ndjenjë të përbashkët të vuajtjes dhe shpresës për liri.
Në një botë ku padrejtësia shpesh heshtet, Kosova përmes qytetarëve të saj vazhdon të jetë një zë i fortë për ata që nuk kanë zë. E kur popujt e vegjël flasin për të drejtat e popujve të shtypur, fjala e tyre ka peshë të madhe. Sepse ata nuk flasin nga komoditeti flasin nga përvoja.
