Ramadani: Shpërthimet në Zveçan dhe vizita e Dodik në Rusi, shenja të tensioneve të rritura

Para 1 vit

Zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë vizitën e udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, në Rusi dhe shpërthimet e mbrëmshme në Zveçan, janë parë si shenja të mundshme të tensioneve në rritje.

Kështu ka vlerësuar ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, i cili ka paralajmëruar se Kosova nuk duhet të mbetet në vakuum institucional, veçanërisht në një kohë kur pakënaqësia qytetare për rritjen e çmimit të energjisë elektrike po rritet.

Të hënën në mbrëmje, zyret e reja të postës në Zveçan u sulmuan me dy granata dore. Policia e Kosovës njoftoi se pas shpërthimit banorët e zonës u evakuuan, ndërsa njësia e specializuar për trajtimin e mjeteve eksplozive më vonë kreu një shpërthim të kontrolluar për të neutralizuar një granatë të pashpërthyer.

“Dodik në Rusi dhe shpërthimet në Zveçan janë indikacione për tensionime të sigurisë. Janë javë që mund të kthejnë rreziqet e sigurisë në shkallë më të gjerë dhe me pasoja serioze”, ka deklaruar Ramadani.