Rifat Berisha (1910–1949) u lind në fshatin malor të Berishës, në Drenicë. Ishte biri i Latif dhe Hasime Berishës. Mësimet fillestare i mori në shkollën fetare të Negrocit, ndërsa shkollën e mesme në Medresenë e Gjakovës. Në moshë të re ishte arratisur në Shqipëri, së bashku me disa bashkëfshatarë, si: Shefqet Bylykbashi, i njohur si Shefqet Kapedani nga fshati Baicë e Kolshit, Ibrahim Banush Hoxha nga fshati Shalë-ish-Sedllar, dhe të tjerë.
Në vitin 1931 përfundoi Akademinë e Mesme Ushtarake në Tiranë. Në vitin 1933 u martua me Mirijen, bijën e Xhelal Çanos, një epror ushtarak në pension. Shërbeu si oficer në qytete të ndryshme si Kukës, Lushnjë, Pukë, Sarandë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Mirija dallohej për virtytet e saj të larta njerëzore e kombëtare. Ata patën katër fëmijë: Muhamerin, i lindur në Gjirokastër më 1935, Afërditën në Shkodër më 1938, Shpresën në Gjilan më 1942 dhe Ylberin në Prishtinë më 1946.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Rifat Berisha u kthye në Kosovë me forcat italo-shqiptare dhe u emërua prefekt i rrethit të Gjilanit, ku zhvilloi një veprimtari të matur politike mes forcave nacionaliste shqiptare dhe atyre partizane. Edhe pse shërbeu në kuadër të pushtetit të kohës, ai kishte bindje të avancuara revolucionare dhe besonte se blloku fashist do të mposhtej. Me kohë, ai u lidh dhe u pranua në radhët e Partisë Komuniste, me synim që komunistët e Kosovës të bashkoheshin me Partinë Komuniste të Shqipërisë.
Ai nuk kishte besim te komunistët jugosllavë, por nuk arriti të ndikonte tek Fadil Hoxha, Xhavit Nimani dhe krahu titist i komunistëve të Kosovës. Me kohë, kuptoi se komunistët jugosllavë po përpiqeshin të uzurponin edhe Partinë Komuniste të Shqipërisë. Në rrethana të tilla, për një periudhë mbeti në dilemë. E kuptoi plotësisht tradhtinë e tyre kur, më 9 gusht 1945, në Konferencën e Prizrenit u shfuqizua Rezoluta e Bujanit (1943–1944), e cila parashihte vetëvendosjen e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë pas përfundimit të luftës antifashiste. Në Konferencën e Bujanit, ai ishte zgjedhur nënkryetar.
I vetmuar dhe i zhgënjyer, për të ruajtur njëfarë vazhdimësie të aktivitetit revolucionar, ai thuhet se nënshkroi dokumentin që lejonte mbetjen e Kosovës në Serbi – një veprim që e kishin bërë edhe Fadil Hoxha dhe komunistët e tjerë të Kosovës, përveç veprimtarit Ibrahim Cërnilla. Rifat Berisha ishte i vetëdijshëm se kishte bërë një gabim të rëndë, dhe për këtë ishte qortuar edhe nga xhaxhai i tij, Tahir Berisha, një pleqnar dhe burrë i urtë e vizionar.
Për një periudhë ka qenë edhe kryetar i Frontit Popullor për Kosovë. Në përfundim të luftës, shërbeu si nënkryetar i Kosovës. Ai nuk u pajtua kurrë me tradhtinë që iu bë Konferencës së Bujanit dhe vendimeve të saj, për çka u vu në shënjestër të OZN-së. Aktiviteti i tij i mëtejshëm, sidomos lidhjet me ilegalitetin, e bënë objekt të ndjekjes nga sigurimi jugosllav.
Në një përpjekje për ta arrestuar, rreth vitit 1947, Rifat Berisha, së bashku me vëllezërit dhe kushërinjtë, nuk u dorëzuan dhe hapën zjarr kundër forcave të UDB-së, duke u shkaktuar atyre humbje në radhët e milicisë jugosllave.
Pas këtij episodi, ai filloi veprimtarinë ilegale në fshatrat e Drenicës, me qëllim të forcimit të radhëve dhe vazhdimit të luftës kundër pushtetit okupator. OZN-a organizoi një rrjet të gjerë spiunësh për ta zbuluar vendndodhjen e tij, ku strehohej me gjashtë bashkëluftëtarë, të afërm dhe miq. UDB-ja kishte urdhër ta likuidonte nëse nuk dorëzohej. Milicia serbe dhe disa shqipfolës ushtruan dhunë dhe terror jo vetëm në fshatin Berishë, por edhe ndaj të njohurve të tij, për ta zbuluar strehën e tij.
Në dimrin e vitit 1949, Rifat Berisha dhe bashkëluftëtarët e tij u futën në ilegalitet të thellë, por edhe aty kishin depërtuar spiunë të shumtë të regjimit titist-rankoviçist.
Më 17 maj të atij viti, ai ndodhej në fshatin Gajrak, në shtëpinë e mikut të tij Smajl Gajraku, për të cilin thuhet se i kishte denoncuar mysafirët nga frika se OZN-ja do t’ia likuidonte familjen.
Në mëngjesin e 17 majit 1949, forcat e Milicisë serbe dhe të Kosovës, të udhëhequra nga shqiptarë-vrasësit Çedo Topalloviç dhe Çedo Mijoviç, rrethuan shtëpinë. Pas një përleshjeje të armatosur disa orëshe, ranë duke luftuar deri në fishekun e fundit: Rifat Berisha, vëllezërit e tij Mustafa dhe Islami, si dhe Brahimi, i biri i Islamit. Rrethimin arritën ta çajnë dhe shpëtuan gjallë Halit dhe Jahir Berisha, të cilët më vonë ikën në Shqipëri.
Represioni kundër kësaj familjeje ishte i jashtëzakonshëm. Deri në vitet ’60, meqë dyshohej se vëllezërit e shpëtuar hynin ilegalisht në Kosovë nga Shqipëria, regjimi mori vendim për izolimin e familjes, duke mos lejuar as gjeneratat e reja të shkolloheshin, nën dyshimin se mbanin lidhje të fshehta me të afërmit që kalonin kufirin për të arritur në Berishë.
(A.Q.)
