Analisti politik Bekim Salihu nga Instituti GAP ka komentuar situatën rreth miratimit të buxhetit të Kosovës, duke theksuar se përgjegjësia nuk qëndron te Qeveria, por te Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, “Qeveria (edhe ajo në detyrë) ka të drejtë ligjore që ta procedojë projektligjin në Kuvend, dhe këtë e përcakton shprehimisht Ligji për Qeverinë (neni 31, pika 2)”, por për shkak se “Kuvendi ende nuk është i kompletuar me komisionet përkatëse parlamentare që do të mund ta pranonin, shqyrtonin dhe procedonin miratimin e një projektligji”, procesi mbetet i pezulluar.
Salihu, në një postim në Facebook, shpjegon mundësitë ligjore për të përshpejtuar procesin: “Kryeministri në detyrë mund të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila ka për obligim të mblidhet brenda tri ditësh. Të njëjtën të drejtë ose mundësi e ka edhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) si subjekt parlamentar, e cila me 30 nënshkrime mund të kërkojë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe të formojë komisionet e obligueshme të Kuvendit (në mesin e tyre edhe Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa)”.
Ai nënvizon gjithashtu se “Për miratimin e këtyre komisioneve nuk kërkohet shumicë e dyfishtë votash, por vetëm shumicë e thjeshtë, që do të thotë se subjekti aktual politik me numrin më të madh të ulëseve (VV) i ka votat e mjaftueshme për formimin e komisioneve”.
Menjëherë pas formimit të komisioneve, projektligji për buxhet mund të procedohet në seancë plenare, ku “ai mund të miratohet sërish me shumicë të thjeshtë, por me kusht që të jenë të pranishëm jo më pak se 61 deputetë, që përbëjnë kuorumin”, shkruan Salihu.
