Tre të vdekur e 12 të plagosur nga përplasja mes dy familjeve në Kretë

Para 11 muaj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e Kretës në Greqi, ku përplasja e armatosur mes dy familjeve ka përfunduar tragjikisht me tre të vdekur dhe 12 të plagosur.

Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur të shtunën në fshatin Vorizia të Heraklionit dhe dyshohet se ka qenë rezultat i një hakmarrjeje të gjatë mes dy familjeve që kishin konflikte prej disa muajsh.

Në mesin e viktimave janë dy gra dhe një burrë. Raportohet se gjatë përleshjes janë përdorur mbi dy mijë plumba, duke e shndërruar zonën në një “fushë beteje”.

Banorët e fshatit kanë ndihmuar në transportimin e të plagosurve drejt spitaleve, madje duke përdorur edhe automjete bujqësore për shkak të situatës së rënduar.

Sipas informacioneve paraprake, konflikti mes familjeve ka nisur para një viti, si pasojë e një shpërthimi që kishte ndodhur në një godinë në ndërtim. Hetimet e asaj kohe kishin zbuluar se në ndërtesë ishte vendosur një mjet shpërthyes i improvizuar, i cili kishte shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht pa viktima.

Policia greke ka rrethuar zonën dhe po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa disa persona janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.