Një grup prej 21 organizatash të shoqërisë civile i janë drejtuar me një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke i kërkuar që të ndërmjetësojë politikisht mes partive parlamentare për të siguruar miratimin e buxhetit për vitin 2026 dhe ratifikimin e Marrëveshjeve me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, para shpërbërjes së Kuvendit.
Organizatat theksojnë se “e ardhmja financiare e vendit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk duhet të bëhen peng i bllokadave politike”, duke paralajmëruar se vonesat mund të sjellin pasoja serioze për stabilitetin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Në letër janë propozuar disa zgjidhje ligjore, përfshirë:
- dorëzimin dhe miratimin e buxhetit nga Qeveria në detyrë me procedurë të përshpejtuar;
- në mungesë të kësaj, zgjatjen e buxhetit aktual deri në mars 2026 për të shmangur krizën financiare;
- ratifikimin e Marrëveshjes së Facilitetit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Huasë për Planin e Rritjes me BE-në;
- përdorimin e nenit 123 të Rregullores së Kuvendit për përshpejtimin e procedurave.
Mes nënshkruesve të letrës janë organizata si Instituti GAP, KCSF, INDEP, EPIK, GLPS, KLGI, BGF, FIQ, QKSGJ, PIPS dhe të tjera, të cilat kërkojnë që presidentja të përdorë rolin e saj kushtetues për të mundësuar një zgjidhje konsensuale para zgjedhjeve.
