Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka pritur në Rezidencën Britanike një grup përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile për të diskutuar mbi gjendjen aktuale politike në vend.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ambasadori Hargreaves tha se biseda ishte përqendruar në funksionimin e demokracisë në Kosovë dhe bllokadën aktuale në Kuvendin e Kosovës.
“Isha mirënjohës që mësova nga përvoja dhe ekspertiza e tyre. E admiroj angazhimin e shoqërisë civile me politikanët e Kosovës për t’i inkurajuar ata që të marrin përgjegjësi për të zgjidhur këtë bllokim në mënyrë që të formohet një Kuvend dhe një qeveri e re, dhe të vazhdojnë me punët jetësore në interes të popullit të Kosovës,” shkroi ambasadori britanik.
Takimi vjen në një kohë kur bllokimi i proceseve parlamentare ka ngjallur shqetësime për funksionalitetin institucional dhe për vazhdimin e reformave të nevojshme në vend. Shoqëria civile ka luajtur një rol aktiv në adresimin e sfidave politike, duke kërkuar përgjegjësi dhe veprim nga liderët politikë.
