Shtoni faqen tonë si burim të preferuar në kërkimet e Google.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka organizuar aktivitetin simbolik “Kanavaca dhe gjurmët e solidaritetit”, në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Gjatë këtij aktiviteti janë vendosur hapa simbolikë nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës deri te memoriali “Heroinat” në Prishtinë, me qëllim të përcjelljes së mesazhit të solidaritetit dhe kujtesës për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se ecja nga Kuvendi drejt memorialit “Heroinat” simbolizon rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të të mbijetuarave, duke theksuar se përgjegjësia për mbështetjen e tyre i takon gjithë shoqërisë.
“Po e dëshmojmë se ky rrugëtim nuk është vetëm i të mbijetuarve, por është përgjegjësi e jona si shoqëri”, deklaroi Rushiti.
Ajo rikujtoi se edhe 27 vjet pas luftës, shumë gra dhe vajza ende nuk kanë gjetur sigurinë dhe mbështetjen e nevojshme për të folur për përjetimet e tyre, për të kërkuar rehabilitim, njohje ligjore dhe drejtësi.
Rushiti theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në luftimin e stigmës dhe sensibilizimin e shoqërisë për këtë çështje.
Në aktivitet ka marrë pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila u ka bërë thirrje të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre.
Haxhiu tha se paragjykimet shoqërore vazhdojnë t’ua vështirësojnë jetën grave që kanë përjetuar dhunë, duke theksuar se institucionet dhe shoqëria duhet të punojnë për krijimin e një ambienti ku ato mund të kërkojnë ndihmë pa frikë nga gjykimi.
Ajo vlerësoi kontributin e QKRMT-së dhe organizatave të tjera në avancimin e të drejtave të të mbijetuarave, ndërsa bëri të ditur se Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka filluar monitorimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.
Kryetarja e Kuvendit u zotua se do të vazhdojë të mbështesë nismat për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe luftimin e dhunës.
Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi, e cila përshëndeti iniciativën e të rinjve dhe u bëri thirrje grave që kanë përjetuar dhunë seksuale të flasin, të kërkojnë drejtësi dhe të mos heshtin për shkak të paragjykimeve.
Krasniqi tha se shumë gra ende përballen me presion nga familja dhe rrethi shoqëror, duke theksuar se të mbijetuarat duhet të ndihen të sigurta, të mbrojtura, të përkrahura dhe të respektuara.
Ajo theksoi se një nga dëshirat e saj më të mëdha ka qenë që bota të mësojë për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
Në fund të aktivitetit, u përcoll mesazhi se gjurmët portokalli të vendosura në rrugët e Prishtinës mund të zbehen me kalimin e kohës, por solidariteti dhe mbështetja për gratë që kanë përjetuar dhunë duhet të dëshmohen çdo ditë.
