Shtoni faqen tonë si burim të preferuar në kërkimet e Google.
Tre persona janë arrestuar në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash.
Operacioni është zhvilluar më 25 nëntor 2026 në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë kontrolluar katër lokacione dhe është sekuestruar pasuri me vlerë mbi një milion euro.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, aksioni është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale.
Në operacion kanë marrë pjesë hetues të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, njësi të tjera hetuese, Njësia Speciale FIT dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Të arrestuarit dyshohen se, përmes sistemeve kompjuterike dhe komunikimeve elektronike e telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i bindur të investojnë në platforma të rreme investimi.
Sipas hetimeve fillestare, viktimat dyshohet se janë mashtruar dhe nxitur të investojnë para në këto platforma, duke pësuar dëme pasurore.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, 4 mijë e 95 euro para të gatshme, 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike, si dhe dokumente të ndryshme që lidhen me rastin.
Vlera e përgjithshme e pasurisë së sekuestruar raportohet të jetë mbi një milion euro.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe dokumentimit të të gjitha veprimeve të dyshuara kriminale.
