Shtoni faqen tonë si burim të preferuar në kërkimet e Google.
Një iniciativë civile drejtuar Asamblesë Kombëtare të Serbisë kërkon hapjen e një debati institucional dhe publik për statusin kushtetues të Kosovës, detyrimet ndërkombëtare të Beogradit dhe përgjegjësinë e shtetit për pasojat e luftës.
Autori i iniciativës, Luka Cvetkoviq, në një shkrim të publikuar në median serbe “Radar”, argumenton se Serbia duhet të rishikojë qëndrimin e saj kushtetues ndaj Kosovës, duke marrë parasysh realitetin institucional në terren dhe detyrimet që ka marrë përsipër në kuadër të dialogut me Prishtinën.
Sipas tij, edhe 20 vjet pas miratimit të Kushtetutës së vitit 2006, Serbia vazhdon ta përcaktojë Kosovën si pjesë të territorit të saj, ndonëse që nga viti 1999 nuk ushtron pushtet efektiv në vend, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë më 2008 Kosova ka ndërtuar institucionet e saj shtetërore.
Cvetkoviq vë në pikëpyetje edhe zbatimin e nenit 182 të Kushtetutës serbe, i cili parasheh autonomi thelbësore për Kosovën, ndërsa kërkon që kjo çështje të rregullohet me një ligj të veçantë. Sipas tij, një ligj i tillë nuk është miratuar as pas dy dekadash.
Ai kërkon që institucionet serbe të shqyrtojnë nëse kjo situatë përbën një detyrim kushtetues të papërmbushur apo nëse nevojiten ndryshime kushtetuese dhe legjislative.
Kërkohet qartësim i detyrimeve nga dialogu Kosovë-Serbi
Në iniciativë kërkohet gjithashtu përcaktimi i saktë i statusit juridik dhe detyrimeve që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve e vitit 2023.
Cvetkoviq vlerëson se Serbia nuk duhet t’i trajtojë automatikisht të gjitha dokumentet e dialogut si traktate ndërkombëtare të ratifikuara, por as të injorojë zotimet që ka marrë dhe që ndikojnë në jetën e qytetarëve.
Ai rikujton edhe mendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 apo Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut.
Kërkohet hapja e arkivave të shërbimeve serbe të sigurisë
Një prej kërkesave kryesore të iniciativës është hapja dhe shqyrtimi i dokumenteve arkivore të shërbimeve të sigurisë së Serbisë për periudhën 1981-2010.
Kërkesa përfshin dokumentacionin e ish-Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, strukturave ushtarake të sigurisë dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Sipas Cvetkoviqit, dokumentet duhet t’i nënshtrohen inventarizimit sistematik, rishikimit të klasifikimit dhe një procedure ligjore që mundëson qasjen e kontrolluar në to.
Ai thekson se hapja e arkivave nuk nënkupton fajësim kolektiv apo publikim arbitrar të informacioneve konfidenciale, por krijimin e mundësive për zbardhjen e fakteve, mbrojtjen e viktimave dhe mbikëqyrjen e pavarur të vendimeve për klasifikimin e dokumenteve.
Viktimat e luftës dhe personat e zhvendosur
Iniciativa kërkon që debati të përfshijë edhe përgjegjësinë e shtetit serb ndaj personave të zhvendosur, veteranëve dhe familjeve të viktimave të luftës.
Cvetkoviq përmend largimin e qindra mijëra njerëzve nga Kosova gjatë dhe pas konfliktit, përfshirë serbët, romët dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera jo-shqiptare. Njëkohësisht, ai rikujton dëbimet masive, vrasjet, dhunën seksuale dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut që përjetuan shqiptarët e Kosovës gjatë luftës.
Ai kërkon mbrojtje efektive për të drejtat pronësore të personave të zhvendosur, qasje në drejtësi, strehim dhe integrim social, si dhe mbështetje shëndetësore, psikosociale, ligjore dhe materiale për veteranët dhe familjet e viktimave.
Sipas tij, vuajtjet e viktimave nuk duhet të përdoren vetëm si argument politik, ndërkohë që nevojat e tyre konkrete mbeten të pazgjidhura.
Thirrje për debat mbi të ardhmen politike të Serbisë
Në përfundim, Cvetkoviq argumenton se identiteti politik i Serbisë nuk duhet të ndërtohet mbi një konflikt të pazgjidhur, por mbi transparencën, zhvillimin institucional dhe përgjegjësinë demokratike.
Ai kërkon që Parlamenti i Serbisë të hapë një debat për pasojat juridike të situatës aktuale, të shqyrtojë ndryshimet e mundshme kushtetuese dhe të sigurojë mbikëqyrje publike mbi politikat që ndikojnë në të ardhmen e vendit.
Sipas autorit, Serbia nuk mund të pretendojë pafundësisht sovranitet mbi Kosovën pa ushtruar pushtet institucional në të, ndërsa njëkohësisht të mbajë të pazgjidhur edhe dispozitën kushtetuese për autonominë thelbësore.
Iniciativa synon që përmes këtij debati Serbia të rishikojë qasjen e saj ndaj Kosovës, së kaluarës dhe detyrimeve të saj politike e juridike.
