Shtoni faqen tonë si burim të preferuar në kërkimet e Google.
Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ua caktuar nga 30 ditë paraburgim katër të dyshuarve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Të dyshuarit janë Nurije Sylaj, ish-vjehrra e viktimës, Driton Sylaj, ish-kunati i saj, si dhe Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi. Lajmin e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” burime brenda Gjykatës.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Nurije dhe Driton Sylaj kanë ndihmuar Albert Sylajn në kryerjen e vrasjes, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohet se e kanë ndihmuar atë pas kryerjes së veprës penale.
Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, i cili dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, Nurije Sylaj dyshohet se ka ndihmuar qëllimisht në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së vrasjes. Ajo dyshohet se, që nga 22 tetori 2026, kur Arlinda ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, e kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën.
Në telefonin e saj, sipas Prokurorisë, është gjetur edhe një video e datës 23 tetor, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet. Dyshohet se këtë video e kishte realizuar Driton Sylaj dhe më pas ia kishte dërguar Nurijes përmes aplikacionit WhatsApp.
Prokuroria dyshon se këto veprime ishin pjesë e një koordinimi paraprak ndërmjet të dyshuarve, me qëllim të sigurimit dhe shkëmbimit të informacioneve për lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës.
Po ashtu, sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, Nurije Sylaj dyshohet se kishte qenë e pranishme në shtëpi në momentin kur Albert Sylaj dyshohet se e kishte sulmuar Arlindën me sëpatë, pa ndërmarrë veprime për ta penguar sulmin.
Të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
