Shtoni faqen tonë si burim të preferuar në kërkimet e Google.
Vogëlushja Luna Sopjani, vetëm 3-vjeçare, e cila ndërroi jetë më 24 nëntor, pasi për 28 ditë luftoi për jetën pas një aksidenti të rëndë trafiku në Gjakovë, do të varroset nesër.
Familjarët kanë bërë të ditur përmes njoftimit mortor se ceremonia e varrimit do të zhvillohet më 26 nëntor, në orën 13:00, në varrezat e fshatit Qerim.
Ndërkaq, e pamja do të mbahet në restorantin “Aviana”, në Lug Bunar, duke filluar nga ora 08:00.
Në njoftimin e familjes Sopjani bëhet e ditur se vogëlushja ka ndërruar jetë në moshën 3-vjeçare, duke lënë në pikëllim të thellë familjarët dhe të afërmit.
Luna ishte në mesin e pesë personave që mbetën të lënduar në aksidentin e ndodhur më 27 tetor, në fshatin Zhubë, në aksin rrugor Gjakovë–Prush.
Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ajo ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku, pavarësisht përpjekjeve mjekësore, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik.
