Shtoni faqen tonë si burim të preferuar në kërkimet e Google.
Dy shoferë janë ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi janë kapur duke zhvilluar gara shpejtësie me veturat e tyre në rrugën magjistrale, në fshatin Muhovc të Ferizajt.
Rasti është evidentuar të martën, më 24 nëntor, rreth orës 21:48, kur patrulla e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka ndaluar dy drejtuesit që po garonin me veturat e tipit BMW 318 dhe BMW 320.
Bëhet fjalë për dy shoferë, njëri 23 dhe tjetri 22 vjeç, ndaj të cilëve policia ka shqiptuar masa ndëshkuese për kundërvajtjen e kryer.
Secili prej tyre është dënuar me nga 500 euro gjobë, pesë pikë negative, si dhe masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit për një vit.
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të shmangin garat e shpejtësisë, të cilat paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
