Shtoni faqen tonë si burim të preferuar në kërkimet e Google.
Një shtetas i Kosovës, i identifikuar me inicialet B.B., është ekstraduar sot nga Belgjika në Kosovë, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, personi dyshohet për përfshirje në veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Ekstradimi u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve kriminale, si dhe lokalizimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.
