Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar reagim të përbashkët evropian ndaj sulmeve në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, gjatë fjalimit në Samitin XIII të Procesit të Berlinit.
Kurti përmendi edhe Milan Radoiçiqin, duke thënë se ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, por vazhdon të jetë i lirë.
Ai theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të shërbente edhe si mekanizëm parandalues ndaj kërcënimeve të sigurisë.
“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive”, deklaroi Kurti.
Gjatë fjalimit, ai ngriti edhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke pretenduar se ata po shtyhen gradualisht jashtë institucioneve dhe jetës publike.
Kurti kërkoi që të drejtat e pakicave në rajon të trajtohen në mënyrë të barabartë në kuadër të Procesit të Berlinit.
