Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e brendshme të partisë, të cilat pritet të mbahen vitin e ardhshëm.
Rama i ka bërë thirrje kryetarit aktual, Lumir Abdixhikut, që të japë dorëheqje nga kjo pozitë.
“Do të jem kandidat për kryetar të LDK-së”, ka deklaruar Rama, duke theksuar se është rizgjedhur në krye të Prishtinës dhe se, sipas tij, e ka renditur LDK-në të parën në kryeqytet.
“Mendoj se kishte bërë mirë të dorëhiqet Abdixhiku. Ashtu duhet me u bë”, ka thënë ai.
Në vitin 2021, Abdixhiku e prezantoi Ramën si kandidat të LDK-së për kryetar të Prishtinës. Rama, i cili më parë njihej kryesisht si arkitekt dhe urbanist me përvojë ndërkombëtare, fitoi zgjedhjet lokale të vitit 2021 dhe u rizgjodh në vitin 2025.
Megjithatë, Rama ka deklaruar vazhdimisht se nuk është anëtar i LDK-së.
