Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kritikuar raportimin se një paciente në Klinikën e Onkologjisë kishte vdekur si pasojë e mungesës së barnave, duke thënë se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet pa verifikimet e nevojshme.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Vitia u shprehu fillimisht ngushëllime familjarëve të së ndjerës, ndërsa kritikoi mediat për publikimin e informacionit pa verifikim paraprak.
Sipas ministrit, pas publikimit të pretendimit nga një shoqatë, Klinika e Onkologjisë kishte tentuar të kontaktonte përfaqësuesit e saj, por fillimisht pa sukses.
Vitia tha se më pas rasti ishte raportuar edhe nga një gazetare, pa u konfirmuar paraprakisht me shoqatën apo institucionet përkatëse.
“Për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe shumë procedura të tjera për të qenë i qartë. Nuk mundet as mjeku ta konstatojë shkakun e vdekjes në raste të tilla”, deklaroi ai.
Ministri shtoi se drejtori i Klinikës së Onkologjisë kishte mbledhur informacionet për rastin dhe kishte publikuar një reagim për të sqaruar situatën. Ai kritikoi gjithashtu faktin që, sipas tij, gazetari dhe mediumi që e kishin raportuar fillimisht lajmin nuk e kishin publikuar më pas reagimin institucional.
