Katër persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni të Policisë së Kosovës kundër trafikimit të narkotikëve, të koduar “Taslixhe”.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sipas të cilit operacioni është realizuar në koordinim me Prokurorinë, në lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Gjakovë.
Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar rreth 15 kilogramë marihuanë, një sasi kokaine, para të gatshme, armë dhe municion, telefona celularë, si dhe dy vetura.
Përmes një postimi, Sveçla ka theksuar se lufta kundër trafikimit të narkotikëve dhe formave të tjera të kriminalitetit mbetet e përditshme dhe e palëkundur.
“Shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve tanë do ta mbrojmë me çdo kusht. Beteja jonë për parandalimin dhe goditjen e çdo forme të kriminalitetit është e përditshme dhe e palëkundur”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka bërë të ditur se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë të veprojnë me vendosmëri në luftimin e krimit dhe garantimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.
