Ndërprerja e rrymës në Kuvend, Hoti me akuza të rënda ndaj Qeverisë Kurti

Para 10 oresh

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën e menaxhimit të sektorit të energjisë elektrike, duke vlerësuar se vendi po përballet me pasojat e mungesës së investimeve në kapacitete të reja energjetike.

Duke komentuar miratimin e masave për energjinë elektrike nga Kuvendi, në orët e vona të së enjtes, Hoti ka ironizuar situatën, duke thënë se kjo tregon se “ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve”.

Ai ka vlerësuar se në vend të masave të miratuara, do të duhej të ndërmerreshin hapa konkretë për ndërtimin e termocentraleve të reja.

“Në vend të këtij vendimi për masa në energji, do të duhej të miratohej ndonjë kredi garantuese për KEK-un për ndërtim të termocentraleve të reja, apo miratim i ndonjë projekti me partneritet për termocentrale të reja”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, dështimet në sektorin e energjisë dëshmohen edhe nga kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti shtet me çmime shumë më të larta.

“Dështimin e qeverisjes 6-vjeçare dhe varfërinë e mendimit politik të këtyre dështakëve e tregojnë kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti vend me çmim deri në 10 vish më të lartë se kostoja e prodhimit të energjisë nga KEK-u”, ka shkruar ai.

Hoti ka përmendur edhe projektin “Kosova e Re” dhe atë të gazit, duke pretenduar se po të mos ishin anuluar, Kosova sot do të kishte më shumë siguri në furnizimin me energji elektrike.

“Sikur të mos anulohej projekti Kosova e Re, sot, pas gjashtë vitesh, do të furnizoheshim nga Termocentrali Kosova e Re me çmim fiks prej 80 euro për MWh. Sikur të mos anulohej projekti i gazit, ai projekt mund të ishte në finalizim e sipër”, ka deklaruar Hoti.

Deputeti i LDK-së ka paralajmëruar se problemet me energjinë elektrike do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme, ndërsa pasojat, sipas tij, do t’i bartin qytetarët dhe bizneset.

“Kjo klasë politike ka sjellë vetëm mjerim ekonomik e politik për Kosovën. Në mungesë të çfarëdo projekti për ndërtim të termocentraleve të reja, ne sot e dimë se edhe për së paku 5 vite do të kemi të njëjtat probleme me energji. Pasojat e kësaj situate po i bartim të gjithë. Bizneset tona po bëhen jokonkurruese për shkak të kostove më të larta”, ka theksuar Hoti.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur çështja e furnizimit me energji elektrike dhe kostot e energjisë janë rikthyer në fokus të debatit politik në Kosovë.