Sipas parashikimeve të reja të Pew Research Center, numri i myslimanëve në botë pritet të kalojë atë të të krishterëve brenda dekadës së ardhshme. Shkak kryesor konsiderohet lindshmëria më e lartë në mesin e popullsisë myslimane.
Islami pritet ta tejkalojë krishterimin deri në vitin 2035, duke u bërë feja me numrin më të madh të besimtarëve në botë, sipas projeksioneve demografike të qendrës kërkimore Pew Research Center.
Sipas të dhënave të institucionit, në vitin 2020 në mbarë botën kishte rreth 2.27 miliardë të krishterë dhe 2.02 miliardë myslimanë.
Megjithatë, projeksionet për vitin 2035 tregojnë se numri i myslimanëve mund të arrijë në rreth 2.57 miliardë, ndërsa ai i të krishterëve në 2.52 miliardë.
Një nga faktorët kryesorë që ndikon në këtë zhvillim është lindshmëria më e lartë në mesin e popullsisë myslimane.
Sipas demografëve të Pew Research Center, gratë myslimane kanë mesatarisht më shumë fëmijë sesa gratë e krishtera. Një faktor tjetër është edhe mosha mesatare më e re e popullsisë myslimane në shumë vende të botës.
Ndërkaq, konvertimi dhe ndryshimi i përkatësisë fetare konsiderohen faktorë me ndikim më të vogël në krahasim me rritjen natyrore të popullsisë.
Pew Research Center thekson se këto shifra janë projeksione demografike, të cilat bazohen në tendencat e lindshmërisë, vdekshmërisë, migrimit dhe ndryshimeve të përkatësisë fetare, ndaj mund të ndryshojnë në varësi të zhvillimeve të ardhshme.
