Në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, Universiteti i Tiranës ka organizuar veprimtari akademike dhe kulturore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.
– Advertisement –
Në çdo auditor janë zhvilluar prezantime të botimeve më të fundit, diskutime shkencore dhe forume ku të pranishëm ishin studiues, pedagogë dhe studentë të fushave të ndryshme.
“Një nga ditët e bukura dhe tashmë tradicionale të fakultetit tonë në kremtimin e 23-prillit si ditën botërore të librit dhe të së drejtës së autorit. Libri studimor, kontributet që vijnë përmes studimeve, përmbledhjeve gjejnë hapësirën e tyre për t’u promovuar”, u shpreh Persida Asllani
Në diskutim u theksua nevoja për një riorganizim të instituteve dhe strukturave akademike, ndërsa akademiku Artan Fuga nënvizoi rëndësinë e krijimit të departamenteve dhe instituteve ndërdisiplinare.
“Tematizoni institutet, punoni me temat dhe projektet dhe jo me ekipe që sa fillon del në pension, është i njëjti grup në të njëjtin institucion. Sigurisht ka vend të krijohen departamente ndërdisiplinare, institute mësimëdhënie ndërdisiplinare si dhe institute të kësaj natyre”, tha Akademiku Arta Fuga.
Gjithashtu u bënë prezantime të botimeve të departamentit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë të Universitetit të Tiranës organizoi edhe edicionin e 17-të Panairit të Librit në mjediset e jashtme të këtij fakulteti.
Ky 23 prill shënon vitin e 30-të të Ditës Botërore të Librit. Kjo datë është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive.
