Gjendje alarmante për lirinë e medias: Kosova bie për 24 pozita – Gazetarja Ramiqi: “Jetoj nën kërcënim, shteti hesht”
Rënia drastike e Kosovës në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij”
Në ditët Botërore të Lirisë së Medias, Kosova e gjen veten në një situatë alarmante: vendi ka pësuar një rënie drastike prej 24 pozitash në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RSF). Kjo rënie nuk është vetëm numër – ajo është pasqyrë e realitetit të rëndë me të cilin përballen gazetarët në vend, përfshirë kërcënime, presion dhe heshtje institucionale.
Një dëshmi tronditëse e kësaj gjendjeje vjen nga gazetarja Eartë Ramiqi, e cila disa ditë më parë publikoi një denoncim publik ku rrëfen përndjekjen, kanosjen dhe mungesën totale të reagimit nga institucionet e sigurisë në Kosovë. Ajo pohon se prej vitesh, ajo dhe familja e saj jetojnë nën frikë, kërcënohen në rrugë, përndiqen, dhe madje janë përdorur edhe fotografi të saj për ta frikësuar.
“Dikush më kërcënoi me vrasjen e bashkëshortit, nëse nuk largohem nga Kosova – me fatin e një ministri të vrarë gjatë luftës”, shkruan ajo në reagimin e saj emocional, ku ndër të tjera shton se ka informuar policinë dhe se institucionet janë në dijeni të çdo rreziku – por kanë zgjedhur të mos veprojnë.
Për më tepër, ajo thekson se familja e saj është përballur me gjuhë linçuese dhe propagandë urrejtjeje në disa media, ndërsa kolegët gazetarë në shumicë kanë zgjedhur të heshtin – sepse “gazetarja me shami” nuk është pjesë e një demokracie që di të mbrojë të gjithë njësoj.
Në një vend ku liria e shprehjes është e drejtë themelore, kjo heshtje institucionale dhe mediatike është një akt i rëndë i dështimit demokratik. Rastet si ai i gazetares Ramiqi nuk janë të izoluara – ato janë një tregues se liria e medias në Kosovë është nën sulm, jo vetëm nga pushtetet politike, por edhe nga një shoqëri që shpesh hesht përballë padrejtësisë.
Kosova duhet të reflektoj të mbaj, përgjegjësi dhe mbi të gjitha – veprim.
Erbardha Majli
