Shtoni faqen tonë si burim të preferuar në kërkimet e Google.
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot dy seanca plenare, në të cilat do të shqyrtohen një sërë çështjesh me rëndësi institucionale dhe publike. Në mesin e temave kryesore janë Ligji për Dhomat e Specializuara, Buxheti për vitin 2027 dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Seanca e parë, e cila është vazhdim i seancës së mëparshme, pritet të nisë në orën 10:00.
Në rend dite janë tri çështje kryesore: gjendja në sektorin e shëndetësisë, furnizimi dhe çmimi i energjisë elektrike, si dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Gjatë kësaj seance, deputetët pritet të votojnë rezolutën lidhur me gjendjen në shëndetësi, pas interpelancës me ministrin Arben Vitia. Kjo rezolutë lidhet me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur për katër muaj pa terapi, si dhe me mungesën e barnave onkologjike.
Po ashtu, në votim do të jetë edhe propozim-rezoluta që buron nga mocioni përmbajtjesor lidhur me planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Një nga pikat më të rëndësishme është rishqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky ligj i është kthyer Kuvendit nga presidentja e Kosovës për rishqyrtim dhe synon kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale.
Ndërkaq, seanca e dytë plenare, e rregullt, pritet të nisë në orën 11:00.
Në këtë seancë, vëmendje të veçantë pritet të marrë shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-028 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Gjithashtu, deputetët pritet të zhvillojnë procesin e zgjedhjes së katër anëtarëve të Bordit të RTK-së, dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë.
Në rend dite është përfshirë edhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Po ashtu, do të shqyrtohet propozimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Seanca e dytë do të nisë me miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe parashtrimin e pyetjeve parlamentare.
Të dy seancat pritet të trajtojnë çështje me interes të gjerë publik, ndërsa vëmendja kryesore do të jetë te vendimet për Specialen, Buxhetin 2027 dhe institucionet publike.
