Momenti kur gazetarja Vlora Fetoshi shpërtheu në lot gjatë leximit të lajmeve ishte një reflektim i plagëve që ende jetojnë. Dhimbja personale u ndërthur me kujtesën kolektive të Kosovës, duke treguar se historia nuk është vetëm për t’u raportuar, por edhe për t’u përjetuar.
Në këtë çast të ndjeshëm, përkrah saj qëndroi bashkëshorti, profesori Arben Fetoshi, me një mbështetje të qetë, të dinjitetshme dhe publike, që rikujtoi se forca e një gruaje shumëfishohet kur pranë ka dikë që e kupton, e respekton dhe e mbron njerëzoren e saj.
Mesazhi i tij ishte më shumë se fjalë dashurie; ishte një qëndrim për gazetarinë, për kujtesën dhe për drejtësinë e vonuar. Ai shkroi:
“Dy fjalë për dashurinë time: melodi që rrëfen më thellë se raportimi.
Dita e sotme është përmbledhja sublime e dhimbjes dhe krenarisë në Kosovë.
Gazetarët s’janë robotë: njerëzorja e kthen dridhjen e zërit në melodinë më ekspresive të lajmit.
Me vlerësim nga zemra për kaq shumë mbështetje e ndjeshmëri, jo thjesht për Vlorën, por si shpërthim lumi për drejtësinë e vonuar ndaj Reçakut, Krushës, Fortesës, e qindra masakrave të tjera të falangave serbe.”
Në një shoqëri që shpesh e sheh ndjeshmërinë si dobësi, ky moment tregoi të kundërtën: mbështetja e një partneri nuk e zbeh forcën e ndriçon atë.
