Mobilizim masiv për UÇK-në,protestë masive në Strasburg

Para 11 muaj

Rreth 6 mijë protestues nga të gjitha trojet shqiptare pritet të marrin pjesë në protestën e OVL-UÇK-së më 16 nëntor në Strasburg, përballë Këshillit të Evropës, për të kundërshtuar, sipas tyre, padrejtësitë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se përgatitjet janë drejt fundi dhe se mërgata shqiptare në Evropë ka ndihmuar fuqishëm. Ai njoftoi se shumë protestues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë gjetur bileta të lira për Bazel e Shtutgard, megjithëse disa kompani i kanë shtrenjtuar çmimet për shkak të kërkesës së madhe.

Sipas tij, shqiptarët kanë rezervuar të gjitha hotelet në Strasburg dhe shumë janë detyruar të akomodohen në periferi. Gucati theksoi gjithashtu se organizatat e dala nga lufta nuk kanë marrë asnjë mbështetje financiare nga qeveria dhe janë bazuar vetëm te donatorët.